P. E. TAVIANI
"AVENTURA E MAHNITSHME
E KRISTOFOR KOLOMBIT"
Kushtuar Zhanës dhe Marinit
"Përkthyesi falenderon
Këshillin e Evropësdhe
Zonjën Anna Maria Zugaro Sanfelice,drejtuese e Institutit Ndërkombëtar të Përkthyesve
Letrarë në Procida, Itali, që i dhanë mundësi ta
përkthente këtë libër në gjuhën shqipe".
2
RRËNJËT KULTURORE TË KOLOMBIT
Nuk është aspak e parëndësishme, sikundër ka guxuar të shkruajë ndokush, që Kolombi pati lindur në Gjenovë.
Nuk ka dyshim, dhe këtë do ta shohim më poshtë, se atdheu i projektit të madh për të arritur në Lindje nëpërmjet Perëndimit ishte Atlantiku dhe nuk ishte Gjenova dhe as Liguria.
Po gjeniu që e konceptoi dhe pastaj e realizoi ku qe formuar? Po karakteri, pothuajse mbinjerëzor për nga këmbëngulja e ankthshme, për nga kokëfortësia ngulmuese dhe për nga siguria e patundshme, ku qe formuar? Ku i kishte hedhur ai rrënjët e tij? Po besimin, pa paragjykime mbistrukturale, gjithnjë të drejtuar nga misteri i Transshedentes, nga Fjala që u trupëzua, që shpesh u drejtohej dy kulteve më fisnikë dhe më të përshtatshëm për nevojat e shpirtit njerëzor, Zonjës së bekuar dhe Shën Françeskut, nga e kishte marrë dhe nga e kishte thithur këtë besim fëmija dhe djaloshi Kristofor?
Ja përse flitet për Gjenovën. Ja përse flitet për Ligurien.
Morisoni, admiral i marinës së Shteteve të Bashkuara
dhe një kolumbist shumë në zë, shkruan: "Toka e Gjenovës është më e përshtatshme se çdo vend tjetër për të futur në shpirtin e një djaloshi të shkathët pasionin për aventura në det". Ndërsa anglezi Bradford, ekspert në çështjet e lundrimit nëpër detra, shton: "Eshtë më se e natyrshme që nga
Gjenova të vijë një nga burrat më të shquar të detrave në botë".
E ç'është Gjenova? Dhe tok me Gjenovën, ç'është Liguria? Një rrip i ngushtë toke midis maleve dhe detit; një breg deti; një varg i pambarim shkëmbinjsh, golfesh, grykash, ngushticash, gjiresh të vegjël, portesh dhe skelash, plazhesh të mbushur me zaje apo të verdhë nga rëra, që të gjithë të vegjël, të ndërprerë befas nga gërxhe, që herë janë shkëmborë, herë janë të mbuluar me pisha të shkëlqyeshme. Gjenova i takon vetëm vetes dhe vetëm detit Ligur. Gjatë qindra dhe mijëra vjetëve trafiku këtu është zhvilluar vetëm në rrugë detare: nga Leriçi në Nicë ka një ecejakje të vazhdueshme njerëzish dhe mallrash nëpër rrugën detare. Nëpër det zhvillohet e gjithë ose pothuaj e gjithë tregtia. Në rrugë detare zhvillohen marrëdhëniet ekonomike, kulturore, sentimentale midis familjeve të viseve të ndryshme. Ky është shkaku që martesat janë bërë me një ndërkëmbim, i cili ka ruajtur ndër shekuj unitetin e ligurasve, duke mënjanuar endogaminë që është e kufizuar në fshatrat e thellë të steresë. Në rrugë detare janë zhvilluar marrëdhëniet intensive financiare dhe ato politike, këto lidhje të dobëta që ishin rrjedhim i strukturave të hajthme dhe të brishta të Republikës. Në rrugë detare më në fund zhvilloheshin marrëdhëniet fetare. Gjenova ishte dhe është akoma selia e natyrshme e arkidioqezës së harkut ligur.
Se ç'ka qënë deti për ligurasit e tregojnë historia e çdo shekulli, kronikat e çdo viti, të çdo stine. Atë e tregon karakteri tipik ligur, i kushtëzuar nga ngushtica e tokës dhe dëshira për të dalë në det të hapur. Me ngushticën e tokës janë të lidhur temperamenti i mbyllur dhe kurnacëria aq e përfolur, e cila është në të njëjtën kohë edhe një shenjë e ndershme kursimi. Po deti? Duke qënë shpesh pa plazhe dhe pa cektina, gjithnjë i hapur drejt një horizonti të gjerë, ai kontribuon për ta bërë edhe më të thellë zgjuarësinë, më serioz karakterin dhe më koherent angazhimin moral.
Të dy këto ndikime shkrihen në një mënyrë të mrekullueshme për ekonominë, financën dhe tregtinë, ku lojaliteti siguron besimin dhe dyshimi mënjanon mashtrimin nga të tjerët; për teknkikën, ku qëndrushmëria, fëmijë e seriozitetit, është po aq e domosdoshme sa edhe zgjuarësia; për fenë, ku thellësia të frymëzon t'i drejtohesh Zotit dhe angazhimi moral siguron një ndershmëri jetese që nuk është e përlyer dhe as e ndotur nga hipokrizia dhe kompromiset.
Të ndryshme janë pasojat në marrëdhëniet sociale dhe politike. Besimi i pakët dhe ngurrimi i madh ndaj politikës janë në të njëjtën kohë pasojë e kapacitetit të madh detar dhe e pamjaftushmërisë së burimeve agrare. Sa kohë që vazhdoi lundrimi me vela dhe lundrimi me anije me avull, deri në fillim të shekullit tonë, komandanti e fitonte me trimërinë e tij në det vlerësimin, nderimin, devotshmërine e marinarëve. Të zgjedhësh rrugën dhe cektinat, të dalësh fitimtar kundër fortunave, të futesh pa u dëmtuar në grykat e lumenjve dhe të kanaleve, të ankorohesh në molo - këto janë sipërmarrje të vështira. Cilido që ka lundruar me vela e di një gjë të tillë. E di se anijëmbytja të ka zënë pusi, çdo ditë e çdo natë, pothuajse çdo orë. Ç'rëndësi ka nëse komandanti është i egër, i ashpër, i mbyllur, se hungurrin dhe kurrë nuk të thotë një fjalë të mirë? Duke e nxjerrë anijen shëndosh e mirë në breg, ai të siguron jetën. Virtytet politike nuk ishin të domosdoshme për një kapiten anijeje.
Në këtë sintezë të karakterit, të qëndrimeve, të të metave dhe të thellësisë gjeniale të zgjuarësisë së ligurasve mbështetet sinteza e më të madhit njeri midis tyre: të Kristofor Kolombit.
Ai u lind dhe e kaloi adoleshencën dhe rininë në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, në një kohë kur Gjenova ishte gati të bëhej, sikur do ta përcaktonte Braudeli i madh, "metropoli i kapitalizmit evropian".
Prej shekujsh ajo kishte qënë një nga kryeqëndrat e Mesdheut. Nga Gjenova ishin nisur ushtritë dhe flotat e kryqëzatave të para. Duke qënë e paisur me një port natyror të përsosur dhe e vendosur në majë të një gjiri të thellë pothuaj në qendër të Mesdheut, ajo kishte luftuar me sukses për kontrollin e detit Tirren me saraçenët, Pizën, Provansën dhe Katalonjën. Liria e lëvizjes, kontrolli i rrugëve detare drejt detit Ligur ishin të domosdoshme, me qëllim që njerëzit të udhëtonin nëpër Mesdhe në kërkim të pikave mbështetëse dhe të atyre brigjeve shpëtimtare , nga ku gjenovezët lëviznin drejt krahinave më të thella në kërkim të prodhimeve dhe të tregjeve. Një historiane me kompetencë të madhe dhe veçanërisht e lumtur për sintezën që ka bërë, Xhovana Peti Balbi, dëshmon se që në fillimet e mijëvjeçarit të dytë gjenovezët kishin qenë në Sardenjë dhe Korsikë, pastaj në brigjet e Tunizisë dhe të Spanjës, pra, në Perëndim më përpara se në Lindje, ku ata shkuan së bashku me Kryqëzatën e parë. Qe formuar kështu një perandori e vërtetë koloniale gjenoveze, një perandori ekonomike dhe jo politike, sepse ishin qytetarë të veçantë si Zakariat, Vinjozët, Gisolfët, Adornot, Lomelinët, Çenturionët që drejtonin kapitalet, anijet, njerëzit dhe sipërmarrjet tregtare në këtë apo atë pikë të Mesdheut, duke vepruar madje edhe në kundërshtim me direktivat dhe qëndrimet politike të dheut mëmë. U krijuan ngulime gjenoveze në Spanjë, nëpër ishuj, në Afrikën e Veriut, në Egje, në Detin e Zi, me një rreth të gjërë interesash që synonin si në drejtim të Atlantikut (Portugali, Angli, Flandër), ashtu dhe në drejtim të Persisë, Indisë, Kinës.
Gjenova kishte tashmë, në shekullin e katërmbëdhjetë, një regjim ekonomik që më mirë eshtë ta përcaktonim si kapitalist ose, në rast se dëshëroni, merkantilist. Ajo kishte dalë nga Mesjeta feodale që nuk e njihte veçse në raste të rralla dhe në një pamje të rreme tregun e lirë. Në këtë botë merkantiliste u rrit djaloshi Kristofor: shtatëdhjetë e shtatë aktet noteriale, protagonist apo njëri nga protagonistët e të cilëve ishte i ati, janë një provë e padyshimtë për këtë. Blerje, shitje, interesa, perqindje, pjestim pasurie, fitime ishin terma të një gjuhe që Mesjeta nuk e njihte. Dhe është interesante të vëmë në dukje se me këtë bagazh të kulturës ekonomike u nis Kolombi nga Gjenova dhe pastaj, pasi pati përshkuar detrat britanikë, pati bërë tregti në ishujt portugezë dhe spanjollë të Atlantikut dhe të Afrikës, pati jetuar në Portugali dhe atje pati zhvilluar traktativa me Mbretin gjersa shkoi më në fund në Sevilje dhe Kordovë.
Këtu Kolombi do të gjente ngulimin më të shquar gjenovez: Adornot, Doriat, Çenturionët, Grimaldët, Pinelët, Spinolat, De Marët, Di Negrot dhe mjaft emra të tjerë të shquar të klasës së pasur merkantile të Gjenovës shumë të pasur.
Dhe këtu, në botën e bankierëve, të tregtarëve dhe të armatorëve gjenovezë, aktivë në Andaluzi, do të piqet projekti i tij i madh.
Rrënjët kulturore gjenoveze të Kolombit gjenden, pra, të pastëra dhe të padiskutueshme në fushën e ekonomisë. Ashtu sikundër gjenden edhe në një fushë tjetër, por që nuk është krejtësisht e ndryshme: në fushën e gjeografisë.
Në shekullin e katërmbëdhjetë Gjenova ishte një nga kryeqendrat e hartografisë së lundrimit, mbase më e rëndësishmja, në konkurencë të vazhdueshme me Venedikun, Majorkën dhe me shkollat arabe.
Çunaku Kristofor Kolombi, duke frekuentuar shkollën fillore të Korporatës së leshpunuesve, kishte mësuar elementet e para të gjeografisë dhe të artit të lundrimit në qëndër të Krishtërimit, që dilte se ishte më i ndjeshëm dhe më i thelluar për tema të tilla.
Pra, Gjenova nuk qe vetëm vendi i lindjes së zbuluesit të Amerikës, nuk qe vetëm atdheu i tij i lindjes, por qe dhe atdheu i tij kulturor: në Gjenovë i hodhi Kolombi rrënjët e karakterit dhe të besimit të tij, të gjenisë së tij detare, të kureshtjes shkencore, të aftësisë së tij
për sipërmarrje ekonomike.
Paolo Emilio Taviani
"Aventura e mahnitshme e Kristofor Kolombit" Përktheu Çezar Kurti.Copyright©1992 by Translator.